Një hap më pranë transplantit të uterusit (mitrës) ndodhen shkencëtarët në Britaninë e Madhe, pasi më parë arritën të transplantojnë mitra tek lepujt, të cilët qëndruan në jetë për plot 10 muaj pa kundërshtuar organin e huaj.
Hulumtimi është kryer nga Royal Veterinary College (Kolegji Veterinar Mbretëror) në Londër. Transplantin e uterusit e anonçoi në konferencën e mjekësisë riprodhuese të mbajtur në Atlanta, SHBA, shkencëtari britanik Richard Smith. Ekspertët thanë se suksesi shkencor, edhe pse tani për tani është testuar vetëm tek lepujt, mund të sjellë një hap më pranë realitetit transplantin e mitres tek njeriu, kryesisht tek ato femra që për arsye të ndryshme shëndetësore (kryesisht nga kanceri i qafës së mitres) i janë nënshtruar procesit torturues të heqjes së uterusit, por edhe tek vajzat të cilat kanë lindur pa uterus. Shkencëtarët theksojnë se përpjekjet do të vazhdojnë pandërprerje, pasi nuk duhet të harrojmë se organizmi i lepujve dhe i derrave është krejt i ndryshëm nga ai i grave. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që shkencëtarët arritën të realizojnë transplant uterusi, thjesht sipas rezultateve të deritanishme kjo prove ishte më e suksesshme në krahasim me të tjerat, pasi lepujt qëndruan të gjallë për 10 muaj pa shfaqur asnjë kundërshti drejt organit të huaj. Transplantit i mitrës është shumë i ndryshëm nga organet e tjera për transplantim, sepse ka një vaskularitet të veçantë, me shumë enë të holla gjaku, gjë që drejton në vështirësimin e procesit të anastomozës.