E propozuara për Çështjet e Brendshme ne Komisionin e ardhshëm Evropian, Cecilia Malmstrom, kaloi provimin para eurodeputetëve. Gjate seancës dëgjimore, ministrja suedeze për Çështjet Evropiane, u pyet mbi liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën nga raportuesja Tanja Fajon.
"Përsa i takon Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë, a mund të veprojë Komisioni në të njëjtën mënyrë siç rekomandoi në korrik liberalizimin e vizave me Serbinë dhe Malin e Zi, megjithëse nuk i kishin përmbushur kriteret tërësisht. Pra, a mund të bëhet rekomandimi në shkurt ose mars për Bosnjën dhe Shqipërinë, me qëllim që heqja e vizave me këto dy vende të hyjë në fuqi për sezonin e verës, në korrik?”, pyeti Fajon.
Malmstrom është përgjigjur menjëherë duke theksuar se, 3 vendet që iu liberalizuan vizat, përmbushën kriteret dhe munden të ecnin përpara Shqipërisë e Bosnjës. “Qëndrimi i Komisionit është t'i ndihmojë këto vende në përpjekjet e tyre për t'i plotësuar këto kushte. Komisioni mund të ndihmojë dhe të mbështesë por vetë këto vende duhet të bëjnë vetë një pjesë të mirë të detyrave të shtëpisë. Se kur do të përmbushen detyrat e shtëpisë, unë nuk mund të jap një datë të saktë për këtë. Ka ende punë për t'u bërë. Shpresoj që brenda këtij viti të mund të arrijmë një marrëveshje, por kjo varet shumë nga kriteret", nënvizoi Malmstrom.